Hoti: Serbia përmes kushtëzimit nga BE-ja do t’i dorëzojë informacionet që ka për të zhdukurit
Në një lëvizje që shënon një hap të rëndësishëm në procesin e pajtimit, Kosova dhe Serbia të martën janë pajtuar për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur.
Ky vendim vjen pas presionit të Bashkimit Evropian dhe hap rrugën për formimin e një komisioni të përbashkët që do të merret me këtë çështje.
Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar nga Kosova për të Pagjeturit, shprehu optimizëm për këtë zhvillim, duke theksuar se presioni i BE do të detyrojë Serbinë të dorëzojë të gjitha informacionet që zotëron në lidhje me fatin e të zhdukurve. Sipas Hotit, mbledhja e parë e këtij komisioni do të mbahet brenda një muaji dhe do të kryesohet nga BE.
“Me qenë se është çështje komplet humane, unë besoj që Bashkimi Evropian mundet pak me direkt, pak ma në mënyrë më të fuqishme me ndërhy në këtë pjesë. Brenda një muaji do të mbahet mbledhja e parë ku do të kryesohet nga BE këtij komisioni të përbashkët… Unë e besoj se nuk zbatohet prej Serbisë. Kjo si shqetësim do të ngritët në nivele hierarkike…dhe me pas do të raportohet të 27 vendet anëtare të Be-së. Unë mendoj që përmes kushtëzimit, Serbia do t’i dorëzojë informacionet që i ka”, deklaroi Hoti për TV1.
Ndërkohë, Hoti theksoi se kërkim falja nga Serbia nuk është e mjaftueshme për krimet e kryera. “Pa pranim të krimit të Serbisë unë nuk mendojë që ndonjëherë në këtë botë do të kemi normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Jo vetëm pranim, pagim të krimeve që i ka bërë, pa i kompensu anën materiale të krimeve sepse ana njerëzore nuk kompensohet, pa kërku falje….”, shtoi ai.