Dogana e Kosovës parandalon kontrabandimin e 300 produkteve për mbrojtjen e bimëve në Vërmicë

7 orë

Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit të 300 produkteve për mbrojtjen e bimëve në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.

Rasti është zbuluar më 22 tetor, gjatë kontrollit të një kamioni që po hynte në territorin e Kosovës. Zyrtari doganor ka vërejtur një hapësirë të modifikuar në automjet, ku pas kontrollit të detajuar janë gjetur disa qese që drejtuesi i kamionit i kishte paraqitur si rroba personale.

Në to janë zbuluar 300 copë produkte për mbrojtjen e bimëve, të cilat nuk ishin deklaruar në Doganë. Për këto produkte nuk është paraqitur as faturë dhe as dokumentacion përkatës.

Lidhur me rastin, Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurë kundërvajtëse, në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave.

Dogana ka theksuar se do të vazhdojë kontrollet për parandalimin e kontrabandës dhe futjen e mallrave të padeklaruara, veçanërisht të produkteve që mund të paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve, mjedisin dhe bujqësinë.