Kusari-Lila takohet me Komisioneren Evropiane, në fokus inovacioni dhe mbështetja për Kosovën
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar një takim me Komisioneren Evropiane për Start-up-et, Kërkimin dhe Inovacionin, Ekaterina Zaharieva, ku është diskutuar për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian në fushën e kërkimit dhe inovacionit.
Ministrja bëri të ditur se gjatë takimit ka theksuar rëndësinë e avancimit të Ligjit për Inovacionin dhe krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm të financimit për mbështetjen e ndërmarrjeve inovative, nga fazat fillestare deri te zgjerimi i tyre në treg.
Ajo gjithashtu ka ngritur çështjen e fuqizimit të rolit të grave në inovacion, si dhe rëndësinë e arsimit dhe aftësimit profesional, përfshirë arsimin dual, në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.
Një tjetër prioritet i diskutuar ishte përfshirja e Kosovës në European Innovation Scoreboard, mekanizëm që mundëson matjen dhe krahasimin e performancës së vendeve evropiane në fushën e inovacionit.
Kusari-Lila theksoi se bashkëpunimi me partnerët evropianë dhe investimet në kërkim e inovacion janë thelbësore për shndërrimin e potencialit të Kosovës në produkte, ide dhe ndërmarrje konkurruese.
Sipas saj, institucionet mbeten të përkushtuara për zhvillimin e ekosistemit të inovacionit dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë dhe ekonominë e vendit.
