VETËVENDOSJE! synon fuqizimin e Qendrave, përgatitet për zgjedhje të brendshme
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur sonte një mbledhje të përbashkët me drejtuesit e Qendrave të saj në Kosovë dhe në mërgatë, ku është diskutuar për zhvillimet aktuale politike, prioritetet qeverisëse dhe fuqizimin e mëtejmë organizativ të subjektit.
Në takim morën pjesë kryetari i LVV-së, njëherazi kryeministri Albin Kurti, sekretari organizativ Alim Rama, koordinatori i Qendrave Salih Zyba, si dhe anëtarë të Kryesisë Qendrore.
Sipas njoftimit të LVV-së, një pjesë e rëndësishme e mbledhjes iu kushtua zgjedhjeve të brendshme, ku pas diskutimeve u arrit dakordim në parim për shpalljen e këtij procesi.
Kryeministri Kurti falënderoi strukturat organizative, aktivistët dhe anëtarësinë në Kosovë e në mërgatë për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në proceset e deritanishme zgjedhore.
Nga LVV theksojnë se zgjedhjet e brendshme synojnë ripërtëritjen dhe konsolidimin e strukturave, zgjerimin e pjesëmarrjes së anëtarësisë dhe forcimin e organizimit në nivel lokal.
Po ashtu, gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e fuqizimit të Qendrave nëpër komuna, me synimin që alternativa qeverisëse e Lëvizjes të jetë më e pranishme në çdo lagje dhe fshat të Kosovës.
Në njoftim nuk është bërë e ditur ende data e nisjes së procesit zgjedhor.
