Goditet banda shqiptare “Nikla”, vidhnin banesat e 49 VIP-ave në Francë dhe Belgjikë
Një grup kriminal i përbërë nga shtatë shqiptarë, i njohur si banda “Nikla”, është shkatërruar nga autoritetet franceze pas një operacioni të gjerë policor.
Ky grup akuzohet për vjedhjen e banesave të 49 personazheve të njohur në botën e sportit, muzikës dhe biznesit, duke përfshirë futbollistë, pilotë të Formula 1 dhe këngëtarë të famshëm.
Sipas njoftimeve nga Policia franceze, banda ka vepruar në Francë dhe Belgjikë, duke grumbulluar sende me vlerë rreth 1 milion euro. Më pas, mallrat e vjedhura, që përfshinin bizhuteri dhe artikuj lëkure luksoze, janë shitur në Shqipëri.
Operacioni i policisë çoi në arrestimin e shtatë personave, gjashtë anëtarëve dhe kreut të grupit, Edison Pula, një shqiptar rreth të tridhjetave. Pula, i njohur për arratisjet e tij të shumta, përfshirë një arratisje spektakolare nga një burg italian në qershor 2022, ishte i kërkuar nga Interpoli.
Policia franceze e ka cilësuar këtë operacion si një nga më të rëndësishmit në luftën kundër krimit të organizuar. Gjenerali Marc de Tarlé, komandant i Zyrës Qendrore, theksoi rrezikshmërinë e rrjetit, duke vënë në dukje se ADN-ja e Pulës ishte gjetur në më shumë se 30 skena krimi midis qershorit 2022 dhe shtatorit 2024.
Arrestimet u kryen në dy faza: dy personat e parë u arrestuan më 20 janar në Luksemburg, ndërsa pesë të tjerët u kapën më 4 mars pranë Reims. Gjashtë nga të arrestuarit janë akuzuar zyrtarisht, përfshirë edhe Pulën, i cili konsiderohet si drejtuesi i rrjetit.