EULEX-i trajnon Shërbimin Korrektues të Kosovës për përdorimin e qenve K-9 kundër kontrabandës në burgje
EULEX-i ka organizuar një trajnim praktik për avancimin e kapaciteteve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) në përdorimin e qenve të trajnuar posaçërisht për zbulimin e kontrabandës në institucionet korrektuese.
Trajnimi është mbajtur nga 12 deri më 15 tetor, me mbështetjen e një eksperti finlandez për qentë K-9, me qëllim të përmirësimit të aftësive ekzistuese të SHKK-së dhe shkëmbimit të përvojave mbi metodat dhe praktikat më të mira që zbatohen në sistemin e burgjeve të Finlandës.
Qentë K-9 janë të trajnuar për të zbuluar substanca narkotike, eksplozivë dhe pajisje elektronike të paautorizuara, të cilat mund të përbëjnë rrezik për sigurinë brenda institucioneve korrektuese.
Sipas EULEX-it, përdorimi i këtyre qenve mund të kontribuojë ndjeshëm në rritjen e sigurisë së të burgosurve dhe personelit, si dhe në parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara në burgje.
Trajnimi është realizuar në kuadër të mandatit të EULEX-it për monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
