Kurti udhëton për në Paris, merr pjesë në Forumin e Paqes me ftesë të Macronit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot drejt Parisit, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes, me ftesë të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti do të jetë pjesë e një sërë aktivitetesh të nivelit të lartë që zhvillohen në kuadër të forumit, ku liderë shtetesh, diplomatë e përfaqësues ndërkombëtarë diskutojnë mbi sfidat globale të sigurisë, zhvillimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Përveç pjesëmarrjes në sesionet plenare të Forumit, kryeministri Kurti pritet të zhvillojë edhe takime bilaterale me përfaqësues të vendeve të ndryshme, në margjina të ngjarjes.
Gjithashtu, ai do të marrë pjesë në tryezën e diskutimit të organizuar nga Instituti Jacques Delors, një nga qendrat më të njohura evropiane për politika publike dhe integrim evropian.
Ndërkaq, mbrëmjen e sotme Kurti është i ftuar nderi në darkën e shtruar nga Qarku diplomatik i Parisit, ku pritet të jenë të pranishëm figura të rëndësishme të diplomacisë dhe politikës ndërkombëtare.
Forumi i Paqes në Paris, që organizohet çdo vit nën patronazhin e Presidentit Macron, synon të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe qasjen multilaterale për zgjidhjen e krizave globale — nga siguria, klima, e deri te transformimi digjital dhe qeverisja demokratike.