Durmishi: Së shpejti nis ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër
Qeveria në detyrë e Kosovës ka në plan të nisë ndërtimin e dy urave të reja që do të lidhin Mitrovicën e Jugut me Mitrovicën e Veriut.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili bëri të ditur se përgatitjet janë në fazën përfundimtare.
“Jemi në procedurë, ende nuk dihet kur do të nis ndërtimi i urave, por shumë shpejtë,” tha shkurt Durmishi për RTV21, pa dhënë ndonjë datë konkrete për fillimin e punimeve.
Ndërtimi i urave është planifikuar mbi lumin Ibër dhe bazohet në një memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut. Këto ura pritet të lehtësojnë qarkullimin dhe të forcojnë lidhjet mes dy pjesëve të qytetit të ndarë që prej vitesh.
Përveç rëndësisë infrastrukturore, ky projekt shihet edhe si një hap simbolik drejt përmirësimit të bashkëjetesës dhe integrimit ndërmjet komuniteteve në këtë zonë.