Rasti i dorëzuar nga Hysen Durmishi në Prokurori përfundon me aktakuzë ndaj katër zyrtarëve
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj katër zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar lidhur me kontratën për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës.
Rasti, sipas informatave të bëra publike, ishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale nga ish-zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Sipas aktakuzës, B.R., B.H., R.Q. dhe N.L. dyshohet se, gjatë periudhës 2017–2020, kanë tejkaluar kompetencat ligjore dhe nuk kanë përmbushur detyrat zyrtare gjatë inicimit, prokurimit, menaxhimit, autorizimit, certifikimit dhe pagesës së kontratës “Mirëmbajtja e Urave në Rrugët Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për vitet 2017–2019”.
Prokuroria Speciale pretendon se aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar me vlerë të parashikuar prej 500 mijë eurosh, ndërsa pagesat e realizuara kanë arritur në 5,377,058.07 euro.
Po ashtu, sipas aktakuzës, janë nënshkruar dhe certifikuar raporte të punimeve me sasi shumëfish më të larta se ato të parapara në dosjen e tenderit, pa aneks-kontratë, pa procedurë të re prokurimi dhe pa verifikim të rregullt nga komisioni i pranimit të punëve.
Prokuroria Speciale ka kërkuar nga gjykata që ndaj të pandehurve, përveç dënimit për veprën penale, të shqiptohet edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.
Të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.
