AUV publikon rezultatet: Analizat konfirmojnë se produktet e Vita-s nuk përmbajnë qumësht pluhur dhe vaj palme
Qumështorja Vita ka bërë të ditur se ka pranuar rezultatet e analizave nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës, të cilat, sipas kompanisë, konfirmojnë se produktet e saj janë 100 për qind qumësht dhe nuk përmbajnë qumësht pluhur apo vaj palme.
Foto: Ilustrim
Përmes një njoftimi, kompania bëri të ditur se rezultatet iu janë përcjellë me email nga AUVK pas protestës së fermerëve të zhvilluar gjatë ditës së diel.
Në reagim thuhet se gjatë takimit të mbajtur ndërmjet përfaqësuesve të fermerëve, ministrit të Bujqësisë dhe përfaqësuesve të Qumështores Vita, është arritur marrëveshje që grumbullimi i qumështit nga fermerët të vazhdojë përkohësisht.
Sipas Vita-s, ky vendim është marrë në interes të fermerëve, pasi ministri Armend Muja ka premtuar se rezultatet e analizave të mostrave të marra më 2 korrik 2026 do të publikohen jo më vonë se 13 korriku 2026. Deri në publikimin e tyre, kompania ka njoftuar se do të vazhdojë grumbullimin e qumështit.
Në fund të reagimit, Qumështorja Vita falënderoi konsumatorët për besimin e treguar ndër vite, duke theksuar se do të vazhdojë të ofrojë produkte cilësore, siç ka bërë gjatë 23 viteve të veprimtarisë së saj.






