AUV zbulon përbërës të padeklaruar në 93 produkte qumështi, 46 raste me vaj palme
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka zbuluar mospërputhje në 93 nga 495 mostrat e produkteve të qumështit të analizuara gjatë periudhës prill–korrik 2026.
Sipas drejtorit ekzekutiv të AUV-së, Bekim Hoxha, në 85 raste janë gjetur përbërës që nuk ishin deklaruar në etiketë, ndërsa në tetë raste përbërësit e deklaruar nuk janë detektuar gjatë analizave laboratorike.
Nga 93 mospërputhjet e evidentuara, 46 raste kanë të bëjnë me praninë ose deklarimin e vajit të palmës. Në raste të tjera janë identifikuar vajra bimorë, niseshte dhe qumësht pluhur.
Hoxha tha se në mbi 90 për qind të rasteve përbërësit e konstatuar nuk ishin deklaruar në etiketë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ai theksoi se kontrollet janë zhvilluar në treg, te njësitë prodhuese, përpunuesit dhe në pikat kufitare, ndërsa shtoi se disa operatorë kishin autorizim për përpunimin e qumështit dhe produkteve të qumështit, por jo edhe për përdorimin e vajit të palmës, yndyrave bimore, qumështit pluhur apo përbërësve të tjerë zëvendësues.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, tha se qumështi i prodhuar nga fermerët e Kosovës është cilësor, por sipas tij kjo cilësi jo gjithmonë ruhet gjatë procesit të përpunimit.
Muja paralajmëroi masa ndaj operatorëve që kanë shkelur rregullat, duke bërë të ditur se produktet me shkelje kritike mund të tërhiqen nga tregu, ndërsa aktivitetet e paligjshme ose të paaprovuara mund të suspendohen.
AUV ka rekomanduar gjithashtu rregulla më të qarta për prodhimin, autorizimin, emërtimin dhe etiketimin e produkteve që përmbajnë vajra bimorë dhe përbërës zëvendësues.
