Nisin kontrollet në markete për produktet e qumështit, MINTI dhe AUV verifikojnë etiketat dhe përbërjen
Pas gjetjeve laboratorike të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) për disa produkte të qumështit, institucionet kanë nisur kontrolle të koordinuara në tregjet e Kosovës për të verifikuar nëse deklarimet në etiketa përputhen me përbërjen reale të produkteve.
Inspektorati Qendror për Mbikëqyrjen e Tregut (IQMT), në bashkëpunim me inspektorët e AUV-së, ka filluar aksionin në rrjetet e marketeve në të gjithë vendin, ku po kontrollohen etiketimi, reklamimi dhe mënyra e paraqitjes së produkteve të qumështit.
Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) kanë bërë të ditur se kontrollet do të përfshijnë si produktet vendore, ashtu edhe ato të importuara, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e informimit të saktë për produktet ushqimore.
Sipas MINTI-t, kompanitë, produktet e të cilave rezultojnë se nuk përputhen me deklarimet në etiketë, janë obliguar të ndërmarrin masa për korrigjimin e etiketimit dhe tërheqjen e produkteve nga tregu. Në rast të kundërt, institucionet kompetente paralajmërojnë masa administrative dhe ndëshkuese, përfshirë edhe ndalimin e përkohshëm të tregtimit.
Ndërkohë, lidhur me dyshimet për përdorimin e ujit të ujitjes në procesin e prodhimit dhe përpunimit të produkteve të qumështit nga një kompani në Kosovë, është zhvilluar një inspektim i veçantë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Drini i Bardhë” në Pejë.
Gjatë këtij inspektimi janë marrë mostra të ujit që përdoret në procesin e prodhimit, të cilat do t’i nënshtrohen analizave fiziko-kimike, mikrobiologjike dhe analizave për praninë e metaleve.
Rezultatet zyrtare të analizave do të përcaktojnë hapat e mëtejmë të institucioneve, ndërsa MINTI ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e tregut për të siguruar respektimin e standardeve të sigurisë dhe cilësisë së produkteve ushqimore.
