AUV asgjëson edhe 21 tonë produkte mishi në ELKOS, procesi i tërheqjes nga tregu vazhdon
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se janë asgjësuar edhe 21 mijë e 226 kilogramë produkte mishi dhe ushqimore në kuadër të procesit të tërheqjes së produkteve nga tregu nga operatori ekonomik ELKOS SH.P.K.
Sasitë e asgjësuara përfshijnë mushkëri dhe kofshë pule, mish pule, mish të grirë, mish gjedhi dhe produkte të tjera ushqimore.Ky proces vjen pas urdhrit fillestar të AUV-së për ndalimin e shitjes, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e 3,130 kilogramëve kofshë pule të ngrira, pas konstatimit të pranisë së mykut.
AUV ka bërë të ditur se gjurmueshmëria dhe grumbullimi i sasive të tjera po vazhdojnë, ndërsa produktet në të cilat konstatohen ndryshime të cilësive organoleptike, përfshirë praninë e mykut, do t’i nënshtrohen masave përkatëse.
Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e procesit, përfshirë verifikimin e dokumentacionit të importit, kushteve të ruajtjes dhe zinxhirit të ftohjes, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve.
