Kontrolle intensive për qumështin dhe produktet e qumështit, MINTI paralajmëron masa ndaj shkelësve
Nga 6 gushti 2026, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), do të nisë kontrolle intensive për përbërjen dhe etiketimin e qumështit dhe produkteve të qumështit në Kosovë.
Foto: Ilustrim
Kontrollet do të zhvillohen te prodhuesit, importuesit, distributorët, depot, shitësit me shumicë dhe pikat e shitjes me pakicë, me fokus në verifikimin e përputhshmërisë së përbërjes reale me atë të deklaruar në etiketë, përfshirë përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës apo përbërësve të tjerë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka paralajmëruar se produktet që rezultojnë të etiketuara në mënyrë të pasaktë do të tërhiqen nga tregu, ndërsa ndaj operatorëve përgjegjës do të shqiptohen masa administrative dhe ndëshkuese, përfshirë gjobat.
MINTI u ka bërë thirrje bizneseve të respektojnë detyrimet ligjore, ndërsa ka theksuar se deklarimet e rreme apo mashtruese do të trajtohen me “tolerancë zero”.
