Suhareka shënon sukses financiar, tejkalon planin buxhetor të të hyrave vetanake për 701,872.35€
Komuna e Suharekës ka shënuar një arritje të rëndësishme në menaxhimin financiar gjatë vitit 2024, duke tejkaluar planin buxhetor të të hyrave vetanake me një shumë prej 701,872.35€.
Kjo shumë e konsiderueshme financiare do të bartet për t’u shpenzuar gjatë vitit fiskal 2025, duke i mundësuar komunës të investojë më tej në projekte dhe shërbime për qytetarët.
Sipas të dhënave zyrtare, Komuna e Suharekës gjatë vitit 2024 ka tejkaluar planin buxhetor të të hyrave vetanake edhe në pjesën e inkasimit të dënimeve nga gjykatat, trafiku dhe pyjet, duke kontribuar në këtë sukses financiar.
Gjatë vitit 2024, të hyrat vetanake ishin planifikuar në shumën prej 2,252,469.00€, ndërsa gjatë tërë vitit fiskal u grumbulluan gjithsej 2,954,341.35€. Kjo tregon një performancë të shkëlqyer të mekanizmit të grumbullimit të të hyrave dhe një menaxhim efikas të financave komunale.
Mjetet e grumbulluara si tepricë, prej 701,872.35€, dhe shuma e pashpenzuar që duhet bartur në vitin fiskal 2025, e cila po ashtu arrin në 701,872.35€, përbëjnë totalin e bartjes së të hyrave vetanake të tejkaluara sipas planifikimit buxhetor për vitin 2024.