Rriten të hyrat vetanake të Komunës së Suharekës krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak
Komuna e Suharekës ka bërë përfundimin e raportit të ekzekutimit të buxhetit për periudhën Janar – Qershor 2025, i cili përfshin të dhënat mbi alokimin, shpenzimin dhe realizimin e të hyrave dhe fondeve publike për këtë periudhë.
Sipas të dhënave zyrtare, Komuna ka realizuar me sukses një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të saj të alokuar. Shpenzimet për “mallra dhe shërbime”, “investime kapitale”, “shpenzime komunale” si dhe “grantet nga fondi i performancës” janë realizuar 100%. Gjithashtu, janë realizuar 51.92% e shpenzimeve për paga dhe mëditje për punonjësit komunalë.
Një ndër aspektet më pozitive të raportit është rritja e të hyrave vetanake, të cilat për periudhën Janar-Maj 2025 kanë arritur shumën 1,113,329.35 euro, që përbën 51.91% të planit vjetor. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, ka rritje të ndjeshme sidomos në kategorinë e lejeve ndërtimore, me një realizim 90.89% më të lartë. Po ashtu, të hyrat nga tatimi në pronë janë rritur ndjeshëm, nga 46.98% në vitin 2024 në 67.70% këtë vit.
Teprica ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve për këtë periudhë arrin shumën 6,803,196.10 euro, duke krijuar një bazë të qëndrueshme financiare për pjesën e mbetur të vitit fiskal.
Komuna gjithashtu ka shfrytëzuar në masë të plotë grantin e performancës në 98.94%, duke dëshmuar përkushtim ndaj kritereve të transparencës, efikasitetit dhe menaxhimit të mirë të fondeve.
Përveç shpenzimeve operative dhe administrative, një pjesë e konsiderueshme e buxhetit është dedikuar për projekte kapitale në sektorë të ndryshëm si:
- ndërtimi dhe mirëmbajtja e infrastrukturës rrugore,
- investime në objekte arsimore dhe shëndetësore,
- përkrahje për sektorin e kulturës, sportit dhe rinisë.
Raporti përfundimtar tregon se 62.42% e buxhetit të përgjithshëm të alokuar është shpenzuar deri në fund të qershorit, ndërsa pjesa e mbetur prej 39.58% do të shfrytëzohet gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025.