Komuna e Suharekës pa paisje për matje gjeodezike, drejtori kërkon ndihmën e gjeodetëve privat
Në rastet kur qytetarë të Komunës së Suharekës kërkojnë nga Drejtoria për Pronë dhe Kadastër vendosjen e pikave kadastrale në pronat e interesit të paktën publik, një shërbim i tillë nuk mund të ofrohet nga ky dikaster, pasiqë nuk posedon paisje për matje gjeodezike.
Foto: Ilustrim
Kjo, për faktin se procesi tenderues për furnizim me një paisje të tillë ka përfunduar në OSHP.
Më datën 10 tetor 2024, zyra e prokurimit pranë Komunës së Suharekës ka hapur procedurat tenderuese për “Blerja e paisjes per matje te gjeodezike per nevojat e drejtoris” me vlerën e parashikuar prej 9,999 €, lëndë e cila pas zhvillimit të procedurave më datë 16.10.2024 ka përfunduar në gjykatën e tenderëve.
Këtë e ka konfirmuar të enjten edhe drejtori i Pronës dhe Kadastrës në Komunën e Suharekës, Armend Krasniqi. Në seancën e 10-të rregullt të asamblesë komunale në Suharekë, asambleisti i LDK-së, Urim Suka, ka pyetur se pse një kërkesë e banorëve të Bllacës për vendosjen e pikave kadastrale për një parcelë nuk po merr përgjigje pozitive.
Lidhur me këtë drejtori Krasniqi ka bërë të ditur se procedura e furnizimit me paisje gjeodezike e inicuar nga drejtoria që ai udhëheq ka përfunduar në OSHP dhe se për momentin kanë kërkuar ndihmë nga gjeodetë privat, të cilët i ka falënderuar për kontribut.