Auditimi zbulon parregullsi me vijueshmërinë e zyrtarëve në Komunën e Suharekës
Sipas Raportit të Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Suharekës për vitin 2024, është evidentuar një mangësi serioze në regjistrimin e vijueshmërisë në punë të disa zyrtarëve komunalë, gjë që hedh dyshime mbi arsyetimin e pagesave për ta.
Foto: Ilustrim
Në çështjen A7, raporti thekson se 4 zyrtarë komunalë nuk kishin fare evidencë të vijueshmërisë në punë, ndërsa për njërin prej tyre mungonin të dhënat për një periudhë të plotë 12-mujore. Për tre të tjerët, mungesa e evidencës varion nga 4 deri në 6 muaj. Kjo situatë bie ndesh me nenin 17 të Rregullores (QRK) Nr. 04/2024, e cila obligon çdo zyrtar publik të regjistrohet në sistemin elektronik të vijueshmërisë në punë.
Sipas raportit, kjo ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të procedurës nga vetë zyrtarët, si dhe mangësive në kontrollin e brendshëm, që kanë lejuar funksionimin e një sistemi pa mbikëqyrje efektive. Mungesa e evidencës së rregullt krijon paqartësi mbi realitetin e prezencës në punë dhe ngrit dyshime të arsyeshme nëse pagesat e bëra ndaj këtyre zyrtarëve janë të justifikuara.
Auditorët i rekomandojnë Kryetarit të Komunës që të forcojë kontrollin mbi regjistrimin e vijueshmërisë, duke kërkuar që çdo zyrtar të jetë i evidentuar rregullisht në sistemin elektronik apo librat përkatës, në mënyrë që pagesat të jenë të bazuara në prezencë reale dhe të justifikueshme.
Menaxhmenti i komunës është pajtuar me rekomandimin, por mbetet për t’u parë nëse kjo pajtueshmëri do të përkthehet në masa konkrete dhe përmirësim të praktikës aktuale.