ZKA evidenton mangësi në Sistemin e Regjistrimit të Bizneseve, rekomandon 16 masa për përmirësim

4 orë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar mangësi në Sistemin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (RBK), duke vlerësuar se nevojiten përmirësime të mëtejshme në automatizimin e proceseve, kontrollet e aplikacionit dhe sigurinë e informacionit.

Sipas raportit të auditimit të teknologjisë së informacionit, sistemi mbështet proceset bazë të regjistrimit, ndryshimit dhe çregjistrimit të bizneseve, por nuk siguron në tërësi validimin automatik të të dhënave dhe zbatimin e kërkesave ligjore e të biznesit.

ZKA ka identifikuar mungesë të disa kontrolleve të automatizuara, përfshirë kriteret për dallueshmërinë e emrave të bizneseve, gjë që krijon nevojën për verifikime manuale dhe mund të ndikojë në efikasitetin e shërbimeve.

Mangësi janë evidentuar edhe në raportim, analiza dhe statistika, si dhe në funksionalitetet për korrigjimin e lëndëve. Po ashtu, proceset e regjistrimit, ndryshimit dhe çregjistrimit nuk janë plotësisht të digjitalizuara, pasi një pjesë e tyre vazhdojnë të mbështeten në dokumentacion fizik dhe procedura manuale.

Sa i përket sigurisë, auditimi ka gjetur se mungojnë politika dhe procedura të formalizuara për menaxhimin e sigurisë dhe vazhdimësinë e shërbimeve. Dobësi janë evidentuar edhe në menaxhimin e fjalëkalimeve, ndryshimeve, ndarjen e roleve kritike dhe procedurat për rikthimin e sistemit në rast fatkeqësish.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka vlerësuar se sistemi ka ndihmuar në standardizimin e proceseve, centralizimin e informatave dhe lehtësimin e ndërveprimit ndërmjet Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), komunave dhe qytetarëve.

Megjithatë, sipas saj, kontrollet aktuale nuk garantojnë nivelin e nevojshëm të automatizimit, validimit, raportimit dhe sigurisë së informacionit.

Për adresimin e këtyre mangësive, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 16 rekomandime për Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), e cila administron sistemin.