Specialja nis procedurën për zhdëmtimin e viktimave pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë nisur procedurën për përcaktimin e zhdëmtimeve për viktimat në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator.
Foto: Ilustrim
Trupi Gjykues II ka vendosur që procedura e zhdëmtimit të zhvillohet para Dhomave të Specializuara, duke vlerësuar se nuk është e përshtatshme që viktimat të referohen në gjykatat civile në Kosovë.
Sipas urdhrit, gjykatat civile në Kosovë nuk ofrojnë një rrugë “efektive dhe realiste” për viktimat e këtij rasti që të kërkojnë zhdëmtim për krimet për të cilat të akuzuarit janë shpallur fajtorë.
Megjithatë, vendimi nuk është ende përfundimtar. Mbrojtja ka afat deri më 22 shtator 2026 për të paraqitur kundërshtime ndaj vendimit. Nëse nuk ka kundërshtime, Trupi Gjykues do të vazhdojë me procedurën e zhdëmtimeve.
Mbrojtja e Viktimave duhet ta dorëzojë kërkesën konkrete për zhdëmtime deri më 14 tetor 2026, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ekipet e Mbrojtjes do të kenë afat deri më 4 nëntor për t’iu përgjigjur.
Procedura bazohet në nenin 22(8) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe rregullën 168 të Rregullores së Procedurës dhe Provave.
