Shoqata e Qumështoreve: Masat e Ministrisë po japin rezultat, por jo për të gjithë fermerët
Masat e ndërmarra nga Ministria e Bujqësisë kanë filluar të japin rezultatet e para, pasi pjesa më e madhe e qumështit të prodhuar nga fermerët tashmë po grumbullohet, ka bërë të ditur Shoqata e Qumështoreve të Kosovës.
Foto: Ilustrim
Sipas shoqatës, problem vazhdon të mbetet grumbullimi i qumështit në disa zona të Podujevës dhe Vushtrrisë. Nga informacionet e marra në terren, rreth 35 fermerëve në Podujevë dhe rreth 30 në Vushtrri ende nuk u grumbullohet qumështi, duke lënë të pashfrytëzuara rreth 5 deri në 6 tonë qumësht.
Shoqata u ka bërë thirrje përpunuesve të qumështit që operojnë në këto rajone të marrin masa për grumbullimin edhe të kësaj sasie, në mënyrë që i gjithë prodhimi vendor të mos mbetet pa treg.
Në reagim thuhet se pritet rritje e kërkesës për qumësht, ndërsa kërkohet që Ministria e Bujqësisë të vazhdojë me zbatimin e masave dhe vendimeve të planifikuara për mbështetjen e sektorit.
Shoqata thekson se sfidat kryesore mbeten çmimi i ulët i grumbullimit dhe vonesat e pagesave ndaj fermerëve, të cilat, sipas saj, në disa raste zgjasin deri në gjashtë muaj ose edhe më shumë.
Po ashtu, ajo përsërit kërkesën për ndalimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në fabrikat përpunuese, duke vlerësuar se një masë e tillë do të ndihmonte në stabilizimin e sektorit, forcimin e prodhimit vendor dhe rikthimin e besimit të konsumatorëve te produktet e qumështit të prodhuara në Kosovë.
