Fermerët këshillohen të mbjellin grurin dimëror deri më 30 tetor
Fermerët në Kosovë janë këshilluar që mbjelljen e grurit dimëror ta realizojnë në periudhën optimale, nga 5 deri më 30 tetor, me qëllim të sigurimit të rendimenteve më të larta dhe përmirësimit të cilësisë së prodhimit.
Sipas rekomandimeve për kultivimin e grurit, përgatitja e duhur e tokës, përdorimi i farës së certifikuar dhe zbatimi i praktikave të përshtatshme agroteknike janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në suksesin e kësaj kulture bujqësore.
Fermerëve u rekomandohet që gjatë mbjelljes të përdorin farë cilësore, të trajtuar kundër sëmundjeve, si dhe të konsultohen me këshilltarët bujqësorë për zgjedhjen e varieteteve të përshtatshme për kushtet e tokës dhe klimës në Kosovë.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe plehërimit. Rekomandohet që fillimisht të bëhen analizat e tokës për të përcaktuar nevojat për lëndë ushqyese, ndërsa plehërimi të përshtatet sipas fazave të zhvillimit të bimës.
Fosfori dhe kaliumi zakonisht aplikohen para ose gjatë mbjelljes, kurse azoti ndahet në dy deri në tri doza gjatë periudhës vegjetative.
Gjithashtu, gruri këshillohet të mbillet pas kulturave si soja, bizelet dhe jonxha, si dhe pas misrit dhe perimeve, duke shmangur kultivimin e tij për disa vite radhazi në të njëjtën parcelë.
Përveç këtyre masave, fermerët duhet të kujdesen për kontrollin e barojave të këqija, kontaktin e mirë të farës me tokën dhe monitorimin e vazhdueshëm të parcelave për sëmundje dhe dëmtues.
Në rast se kushtet atmosferike janë të favorshme, mbjellja mund të vazhdojë edhe pas datës 30 tetor. Për këshilla shtesë, fermerët mund t’u drejtohen këshilltarëve bujqësorë në komunat e tyre ose Departamentit të Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
