Fermerët në Kosovë shohin përmirësim në tregun e qumështit, rritet shitja e prodhimit vendor

04.09.2026

Tregu i qumështit në Kosovë po shënon ndryshime pas masave të Qeverisë për kufizimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në industrinë e qumështit, raporton Radio Evropa e Lirë (REL), transmeton SuharekaOnline.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, gjatë periudhës janar-qershor 2026 janë grumbulluar dhe shitur mbi 45 milionë litra qumësht nga fermerët bashkëpunues, krahasuar me rreth 35 milionë litra në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe importi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur ka shënuar rënie. Në shtatë muajt e parë të vitit, Kosova importoi vaj palme në vlerë prej rreth 2.3 milionë euro, nga rreth 3 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Ndërkaq, importi i qumështit pluhur ra nga rreth 1.8 milionë në 1.3 milionë euro.

Fermerët thonë se tashmë po e kanë më të lehtë ta shesin qumështin e freskët dhe disa prej tyre planifikojnë të zgjerojnë fermat.

Megjithatë, industria e qumështit mbetet më e kujdesshme. Përfaqësues të saj thonë se kërkesa nuk është rritur ndjeshëm dhe se disa kompani kanë ende produkte të pashitura, ndërsa disa kanë pezulluar përkohësisht prodhimin e artikujve që përmbajnë vaj palme ose qumësht pluhur.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi vendor mbulon rreth 66 për qind të nevojave të tregut, ndërsa pjesa tjetër sigurohet përmes importeve.

Ndërkohë, numri i lopëve qumështore në Kosovë ka rënë nga 129.897 në vitin 2023 në 126.549 në vitin 2024. Fermerët e lidhin këtë rënie, ndër të tjera, me pasigurinë shumëvjeçare të tregut.

Qeveria ka vendosur masa për kategorizimin dhe etiketimin më të qartë të produkteve, kufizimin e përzierjes së qumështit të freskët me qumësht pluhur apo vaj palme, si dhe kontrolle dhe analiza laboratorike.