Qeveria e Kosovës po përgatit një draftstatut për Asociacionin

16.05.2024

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.

Qeveria e Kosovës po përgatit një draftstatut për Asociacionin Foto: Ilustrim

“Pas letrës së zotimit të datës 23 mars 2024 të nënshkruar nga lidershipi politik i Kosovës, përkatësisht presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, po ju shkruaj për t’ju informuar për hapat konkretë që po ndërmarrim në përputhje me angazhimet tona pas votimit për anëtarësim. Që nga 17 prilli 2024, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë dhe të prekshëm në drejtim të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të zbatimit të saj, duke përfshirë Asociacionin si një nga zotimet e pas-anëtarësimit. Në përputhje me frymën e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazë, ne tashmë kemi filluar konsultimet me përfaqësuesit e pjesëtarëve të komunitetit serb për të marrë parasysh nevojat e tyre. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit një draftstatut për Asociacionin, të inspiruar nga FES-i që do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të majit 2024”, thuhet në letrën e ministres Gërvalla.