Krisma kallashnikovi në një dasmë në Suharekë, arrestohet 34-vjeçari me inicialet B.S.
Të shtënat me armë zjarri në një aheng familjar në fshatin Budakovë të Suharekës kanë përfunduar me ndërhyrjen e Policisë së Kosovës, sekuestrimin e një arme dhe arrestimin e një personi të dyshuar.
Foto: Ilustrim
Sipas informacioneve, rasti është raportuar më 18 korrik, rreth orës 11:00, pas një denoncimi se në një aheng familjar në lagjen “Sallauka” po dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë identifikuar personin e dyshuar me inicialet B.S., 34 vjeç.
Gjatë kontrollit, Policia ka sekuestruar një pushkë automatike AK-47, e cila dyshohet se është përdorur gjatë të shtënave, si dhe pesë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar. Personi i dyshuar konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
