Semetisht: Arrestohet një person pas të shtënave me armë në aheng familjar
Në fshatin Semetisht të Suharekës, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar.
Foto: Ilustrim
Rasti ka ndodhur më 31 korrik 2026, rreth orës 10:50. Pas pranimit të informatës për të shtëna me armë, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur të dyshuarin mashkull kosovar.
Sipas Policisë, i dyshuari ka pranuar se kishte shtënë me armë gjatë ahengut familjar. Gjatë kontrollit, tek ai është konfiskuar një pistoletë me gaz, një fishek dhe pesë gëzhoja.
I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit në polici, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
