Në Greikoc dyshohet se shtiu me armë në restorant, babai dorëzon armën në Polici
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një incident të ndodhur në fshatin Greikoc të Suharekës, ku një person është incizuar duke shtënë me armë zjarri brenda ambientit të një objekti hotelier.
Foto: Ilustrim
Pas analizimit të një video-incizimi, organet e rendit kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin mashkull kosovar. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, zyrtarët policorë kanë kontaktuar babain e të dyshuarit, i cili ka deklaruar se djali i tij tashmë është larguar nga Kosova dhe gjendet jashtë shtetit.
Babai i të dyshuarit ka dorëzuar vullnetarisht te zyrtarët policorë një pistoletë me gaz së bashku me një karikator, e cila dyshohet se është përdorur gjatë këtij incidenti.
Rasti është cilësuar si “Armëmbajtje pa leje” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe vazhdon të mbetet nën hetime nga policia.
