Dogana zbulon rreth 10 tonë mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera e tyre rreth 154 mijë dollarë
Dogana e Kosovës ka zbuluar rreth 10 tonë mallra të padeklaruara gjatë kontrollit të një kamioni në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.
Sipas njoftimit të Doganës, kamioni kishte përfunduar procedurat doganore përmes deklaratës së pararritjes, por ishte përzgjedhur për kontroll shtesë bazuar në parametrat e menaxhimit të riskut.
Gjatë kontrollit me skaner dhe matjes së peshës, zyrtarët doganorë kanë evidentuar mospërputhje ndërmjet peshës së deklaruar dhe asaj reale, duke zbuluar një diferencë prej rreth 10 tonësh mallra të padeklaruara.
Vlera e këtyre mallrave, pa përfshirë detyrimet e importit, vlerësohet të jetë rreth 154 mijë dollarë amerikanë.
Dogana ka bërë të ditur se rasti është duke vazhduar me procedurat përkatëse administrative, në përputhje me Kodin e Doganave dhe Akcizës.
Ndërkohë, Dogana e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për parandalimin e kontrabandës, luftimin e tregtisë së paligjshme dhe mbrojtjen e interesave financiare të vendit.
