Mali i Zi avancon drejt BE-së me 23 kapituj të mbyllur, Kosova mbetet ende pa negociata për anëtarësim

I ri

Mali i Zi po prin në procesin e integrimit evropian në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi ka mbyllur 23 nga gjithsej 33 kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Podgorica ka shënuar përparim të ri duke mbyllur edhe dy kapituj të tjerë, ndërsa zyrtarët e BE-së vlerësojnë se vendi mund t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2026 dhe të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian në vitin 2028.

Megjithatë, rruga e Malit të Zi drejt BE-së nuk është pa pengesa. Kroacia ka bllokuar mbylljen e disa kapitujve, duke kërkuar zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura që lidhen me të kaluarën e përbashkët, përfshirë mosmarrëveshjet kufitare, personat e zhdukur gjatë luftës, kompensimin e viktimave dhe pronësinë mbi anijen stërvitore “Jadran”.

Ndërkohë, edhe vendet e tjera të rajonit po përparojnë me ritme të ndryshme në procesin e integrimit evropian.

Shqipëria, e cila i ka nisur negociatat në korrik të vitit 2022, deri më tani ka mbyllur katër kapituj, ndërsa Serbia, megjithëse i ka nisur negociatat që në vitin 2014, vazhdon të përballet me një proces të ngadalësuar dhe sfida të shumta politike e reformuese.

Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar në procesin e hapjes së kapitujve, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina ka bërë hapa të kufizuar pas vendimit për hapjen e negociatave në mars të vitit 2024.

Në anën tjetër, Kosova vazhdon të mbetet në fazën e vendit kandidat potencial dhe ende nuk i ka nisur negociatat formale për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kështu, Mali i Zi vazhdon të jetë dukshëm përpara vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në BE, ndërsa Kosova mbetet ndër vendet më të prapambetura në këtë proces.