Kriza energjetike në Kosovë, importi i rrymës kushton mbi 205 milionë euro për dhjetë muaj

6 orë

Kosova po përballet me paralajmërimet për një dimër të vështirë energjetik, ndërsa rritja e konsumit të energjisë elektrike dhe shpenzimet e larta për import po shtojnë shqetësimet për sigurinë e furnizimit me rrymë.

Sipas të dhënave të KESCO-s, konsumi i energjisë elektrike te konsumatorët e rregulluar gjatë periudhës 1 shtator – 31 tetor 2026 është rritur për 4.1 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërkaq, ditët e para të nëntorit kanë shënuar një rritje shtesë prej afro 25 për qind, krahasuar me muajin paraprak.

Situata bëhet edhe më shqetësuese nga kostot e importit të energjisë elektrike. Vetëm gjatë periudhës 28 tetor – 3 nëntor, Kosova ka shpenzuar 14.9 milionë euro për blerjen e rrymës, apo mesatarisht mbi 2.1 milionë euro në ditë.

Ndërkaq, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vlera e importit të energjisë elektrike nga janari deri në tetor të këtij viti ka arritur në mbi 205.3 milionë euro.

Përballë kësaj situate, KESCO u ka bërë thirrje qytetarëve që ta përdorin energjinë elektrike në mënyrë më racionale, duke shmangur shpenzimet e panevojshme dhe duke shfrytëzuar më me efikasitet pajisjet elektrike.

Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se është themeluar një task-forcë ndërinstitucionale për sezonin dimëror 2026–2027, e cila do të monitorojë furnizimin me energji elektrike dhe do të koordinojë përditësimin e bilancit energjetik dimëror.

Në këtë task-forcë janë përfshirë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, ZRRE-së, KEK-ut, KOSTT-it, KEDS-it, KESCO-s, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Rizvanolli ka paralajmëruar gjithashtu se çmimet e energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm. Sipas saj, në shtator 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, çmimi mesatar në bursën hungareze HUPEX ishte rreth 75 për qind më i lartë, ndërsa në ALPEX për zonën e Kosovës rreth 50 për qind.

Task-forca do të raportojë në baza javore në Ministrinë e Ekonomisë, ndërsa raportimi do të bëhet i menjëhershëm në rast të identifikimit të rreziqeve për furnizimin me energji elektrike.