Dogana zbulon mallra të padeklaruara në Vërmicë në vlerë prej 72,600 eurosh

1 orë

Dogana e Kosovës ka zbuluar mallra të padeklaruara në vlerë prej rreth 72,600 eurosh gjatë kontrollit të një kamioni në pikën kufitare në Vërmicë.

Rasti është identifikuar gjatë procedurës së zhdoganimit, pasi zyrtarët doganorë kanë vërejtur mospërputhje ndërmjet peshës së deklaruar dhe asaj faktike të automjetit.

Pas kontrollit të detajuar të kamionit dhe ngarkesës, janë zbuluar 1,036 palë këpucë dhe 2,980 copë veshmbathje, të cilat nuk ishin të përfshira në deklaratën doganore. Sipas Doganës, pothuajse të gjitha produktet mbanin marka tregtare të mbrojtura.

Vlera e përgjithshme e mallrave të zbuluara vlerësohet në rreth 72,600 euro, pa përfshirë detyrimet e importit.

Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse, ndërsa procedura administrative është në vazhdim. Për trajtimin e mëtejmë janë njoftuar edhe organet kompetente.

Dogana e Kosovës ka rikujtuar se deklarimi i saktë i mallrave është obligim ligjor dhe se mosdeklarimi apo deklarimi i pasaktë mund të sjellë masa ligjore, përfshirë pagesën e detyrimeve të importit.