Dogana zbulon mallra të padeklaruara në Aeroportin e Prishtinës, vlera rreth 4,700 euro
Dogana e Kosovës ka zbuluar mallra të padeklaruara në bagazhin e një udhëtari të huaj gjatë kontrolleve rutinore në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti është identifikuar më 12 tetor, pasi zyrtarët doganorë kanë ngritur dyshime gjatë kontrollit të imazheve të skanerit dhe kanë vendosur që bagazhi i udhëtarit, i cili po kalonte përmes kanalit të gjelbër, t’i nënshtrohej kontrollit fizik.
Gjatë kontrollit janë gjetur pesë pjesë dhe komponentë elektronikë të markave Siemens dhe Philips, të dedikuar për sisteme të skanimit me tomografi të kompjuterizuar (CT).
Vlera doganore e mallrave të zbuluara, pa përfshirë detyrimet dhe taksat, është vlerësuar në rreth 4,700 euro.
Për shkak të mosdeklarimit të tyre, ndaj rastit është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, ndërsa mallrat janë vendosur nën mbikëqyrjen e Doganës.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në pikat hyrëse të vendit, me qëllim parandalimin dhe identifikimin e parregullsive doganore.
