AUV-i sqaron aksionin te ‘Vita’, Ministri Muja thotë “askush mbi ligjin”, ndërsa Shoqata kërkon ndalimin urgjent të vajit të palmës
Një kontroll i jashtëzakonshëm inspektues në industrinë e qumështit ka ndezur një debat të ashpër mes institucioneve shtetërore dhe prodhuesve në Kosovë.
Pas zërave për mbylljen e përkohshme të njërës prej fabrikave më të mëdha në vend, kompanisë ‘Vita’, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka dalë me një komunikatë zyrtare për të sqaruar situatën, ndërsa Ministria e Bujqësisë dhe Shoqata e Qumështoreve kanë shpërthyer me deklarata të forta.
AUV: Nuk ka mbyllje të fabrikës, por u gjet vaj palme dhe mospërputhje ligjore
Përmes një komunikate zyrtare për media, AUV ka sqaruar se në këtë fazë nuk është marrë asnjë masë për mbylljen e subjektit (kompanisë ‘Vita’), por është realizuar një inspektim i jashtëzakonshëm.
Gjatë këtij kontrolli, inspektorët kanë konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi. Në objekt janë gjetur linja të instalatimit për prodhimin e produkteve me bazë qumështi pluhur dhe vaji palme, si dhe sasi të konsiderueshme të këtyre lëndëve të para.
“Është konstatuar se subjekti nuk posedon autorizim të veçantë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve me bazë yndyrash bimore dhe proteinash qumështi për qëllime të deklaruara në etiketim,” thuhet në njoftimin e AUV-it, duke shtuar se janë marrë mostra të qumështit UHT, qumështit pluhur dhe vajit të palmës për analiza laboratorike, rezultatet e të cilave do të përcaktojnë masat e mëtejshme.
Ministri Muja: Po mbrojmë konsumatorin, zbatimi i ligjit i njëjtë për të gjithë
Pasi u bë publik aksioni, Ministri në detyrë i Bujqësisë dhe Blegtorisë, Armend Muja, doli në mbështetje të plotë të kontrolleve, duke theksuar se qëllimi i vetëm është mbrojtja e interesit publik dhe siguria ushqimore.
”Siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë. Qytetarët tanë duhet të dinë se çka hanë e çka pinë për të cilat edhe paguajnë. Kontrollet zyrtare zhvillohen ndaj operatorëve ekonomik pa dallim sektori, madhësie apo pozite në treg, sepse askush nuk mund të jetë mbi ligjin,” deklaroi ministri Muja.
Shoqata e Qumështoreve shpërthen në akuza:
Vaji i palmës po na shkatërron fermat!
Nga ana tjetër, ky inspektim dhe gjetja e vajit të palmës e qumështit pluhur në fabrikat e përpunimit ka sjellë reagimin e ashpër të Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës. Shoqata kërkon që vaji i palmës të ndalohet rreptësisht në industrinë e qumështit, duke pretenduar se kjo praktikë po falimenton fermat vendore dhe po dëmton rëndë shëndetin e konsumatorëve.
Sipas tyre, produktet me yndyrë bimore po bëjnë të pavlefshme edhe skemat e përkrahjes qeveritare dhe po dëmtojnë imazhin e prodhimeve “Made in Kosova”.
Shoqata ka rreshtuar katër kërkesa ultimative për institucionet:
Grumbullim pa përjashtim:
Qumështi i fermerëve tanë duhet të grumbullohet në çdo cep të Republikës së Kosovës.
Kthim i çmimit: Çmimi i qumështit të fermave të kthehet aty ku ka qenë.
Ndalim i reduktimeve: Të marrin fund reduktimet e grumbullimit pa asnjë arsye madhore.
Pagesa me kohë: Të ndërpriten vonesat e pagesave ndaj fermerëve që po zgjasin nga 3 deri në 6 muaj.
Çka pritet tutje?
Tregu i qumështit në Kosovë tashmë ndodhet nën “ethet” e analizave laboratorike. Ndërsa AUV pret rezultatet për të parë nëse ka pasur mashtrim me etiketimin e produkteve (nëse vaji i palmës është shitur si qumësht i pastër), fermerët po bëjnë presion të madh që ky moment të shërbejë për të pastruar tregun një herë e mirë nga produktet artificiale dhe për të mbrojtur qumështin e pastër vendor.
