AUV demanton raportimet për rezultatet e analizave të qumështit: Ende nuk ka përfunduar procesi laboratorik
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka reaguar ndaj raportimeve të publikuara në disa media, duke mohuar se janë publikuar rezultatet zyrtare të analizave laboratorike të mostrave të qumështit të marra nga Inspektorati më 2 korrik 2026.
Sipas AUV-së, institucioni nuk ka dërguar asnjë email me rezultate, pasi analizat laboratorike ende nuk kanë përfunduar. Agjencia thekson se informacionet e publikuara në disa media nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të institucionit dhe nuk burojnë nga AUV.
Në reagimin e saj, AUV bën të ditur se mostrat e marra më 2 korrik janë ende në proces përpunimi në laborator dhe se rezultatet zyrtare do të publikohen vetëm pasi të përfundojnë të gjitha analizat dhe të verifikohen nga autoritetet kompetente.
Agjencia rikujton se e njëjta është bërë e ditur edhe gjatë takimit të zhvilluar sot me përfaqësuesit e qumështores “Vita” dhe Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, ku është theksuar se opinioni publik do të njoftohet zyrtarisht sapo të përfundojë i gjithë procesi.
Në fund, AUV u ka bërë thirrje mediave dhe qytetarëve që t’u referohen vetëm komunikimeve zyrtare të institucionit dhe të shmangin publikimin e informacioneve të paverifikuara, të cilat, sipas saj, mund të dezinformojnë publikun dhe të dëmtojnë besimin në procesin zyrtar të kontrollit të ushqimit.
