Përmbyllet Muaji Rozë, realizohen mbi 2 mijë mamografi në nivel vendi
Me aktivitete të shumta sensibilizuese dhe kontrolle mjekësore falas në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit, sot përmbyllet Muaji Rozë, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kësaj sëmundjeje.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, vetëm gjatë muajit tetor janë realizuar mbi 2,000 mamografi, ndërsa përgjatë gjithë vitit janë kryer më shumë se 10,000 mamografi në total në nivel vendi.
Institucionet shëndetësore kanë theksuar se zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit mbetet faktori kyç për trajtim të suksesshëm dhe shpëtimin e jetëve. Për këtë arsye, mjekët dhe profesionistët shëndetësorë vazhdojnë të bëjnë apel që gratë të kryejnë vetëkontrollet dhe kontrollet e rregullta mjekësore.
Në njoftimin zyrtar, Ministria e Shëndetësisë ka shprehur falënderim për të gjitha profesionistet dhe profesionistët shëndetësorë për angazhimin e tyre gjatë këtij muaji, si dhe për të gjitha qytetaret që kanë treguar kujdes për shëndetin e tyre.
“Kujdesuni për veten! Bëni mamografinë, vetëkontrollet dhe kontrollet e rregullta mjekësore, sepse shëndeti juaj është prioritet,” – thuhet në thirrjen përmbyllëse të Ministrisë.
Muaji Rozë shënon një nga fushatat më të rëndësishme të ndërgjegjësimit shëndetësor në vend, duke theksuar rëndësinë e edukimit, parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm për luftën kundër kancerit të gjirit.