Votat e diasporës, numërimi i fletëvotimeve fillon sot

17.10.2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të filloj sot, më 17 tetor në ora 18:00, procesin e numërimit të votave të ardhura nga diaspora për zgjedhjet lokale në Kosovë, të cilat përfshijnë zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe anëtarëve të kuvendeve komunale.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një deklaratë për media bëri të ditur se deri më tani janë pranuar rreth 33 mijë fletëvotime nga bashkatdhetarët tanë që kanë votuar jashtë vendit.

Sipas tij, pas verifikimit të bërë nga KQZ, janë aprovuar mbi 29 mijë pako me fletëvotime, ndërsa 3,900 janë refuzuar për arsye të ndryshme, të cilat lidhen kryesisht me mosplotësim të kritereve ligjore dhe teknike për vlefshmërinë e votës.

Votat e diasporës pritet të kenë ndikim të veçantë në disa komuna, ku gara ndërmjet kandidatëve është tejet e ngushtë.

Ky është një hap i rëndësishëm në finalizimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale, të mbajtura më herët këtë muaj në të gjithë vendin.