Sami Kurteshi: Ka filluar rinumërimi i të gjitha kutive të votimit në Kosovë

para 34 dite

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, ka njoftuar se ka filluar rinumërimi i të gjitha kutive të votimit në qendrat komunale të numërimit.

Sami Kurteshi: Ka filluar rinumërimi i të gjitha kutive të votimit në Kosovë

Kjo vjen pas problemeve të shumta me shpalljen e rezultateve preliminare dhe dështimit të sistemit digjital të KQZ-së.

Përmes një njoftimi për media, Kurteshi ka thënë se për këtë problem tashmë janë duke u marrë ekspertë nga Policia e Kosovës dhe prokuroria. Ai ka shtuar se votimi i 9 shkurtit ka përfunduar me sukses, por problemet me shpalljen e rezultateve preliminare ishin të natyrës teknike, për shkak të dështimit të sistemit digjital.

“Më 9 dhe 10 shkurt, KQZ-ja ka futur të gjitha të dhënat nga formularët e vendvotimeve në sistem në mënyrë manuale, edhe me gabime e lëshime, qofshin ato ndonjëherë edhe të qëllimshme. Shumica e tyre tanimë janë identifikuar. Sidoqoftë, me gjithë këto probleme të cekura, nuk ka vend për shqetësim. Fletëvotimet, formularët e numërimit nga vendvotimet dhe materialet tjera nga vendvotimet janë të gjitha të ruajtura”, ka thënë Kurteshi.

Ai ka theksuar se do të rinumërohen të gjitha kutitë nga vendvotimet dhe se ky proces do të jetë transparent. Ky vendim i KQZ-së vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve të ngritura nga partitë politike dhe shoqëria civile për parregullsi të mundshme në procesin zgjedhor. Rinumërimi i të gjitha kutive të votimit pritet të hedhë dritë mbi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe të rrisë besimin e publikut në procesin zgjedhor.

Etiketat

Ofertat e fundit