Procesi zgjedhor në Suharekë – Deri në orën 17:00 kanë votuar 27,180 qytetarë
Kanë mbetur më pak se dy orë deri në mbylljen e qendrave të votimit, ku sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Foto: Ilustrim
Në këto zgjedhje, mbi dy milionë qytetarë kanë pasur të drejtë vote për të përzgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se procesi zgjedhor ka nisur me kohë dhe po zhvillohet pa probleme të theksuara në mbarë vendin.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, në Komunën e Suharekës, nga ora 07:00 deri në ora 17:00, kanë votuar gjithsej 27,180 qytetarë nga 70,191 qytetarë me të drejtë vote, që përbën 38,72% të elektoratit në këtë komunë. Po ashtu, KQZ ka njoftuar se nga gjithsej 89 kuti të votimit në Suharekë, deri në këtë orar janë përpunuar dhe raportuar të dhënat nga 87 kuti votimi.
Procesi i votimit do të vazhdojë deri në orën 19:00, ndërsa institucionet përgjegjëse u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të respektojnë rregullat e përcaktuara zgjedhore për një proces të qetë dhe të rregullt.