Ndërprerja e rrymës rrezikon procesin zgjedhor të 28 dhjetorit
Ndërprerjet e paparalajmëruara të energjisë elektrike ditëve të fundit në disa komuna të Kosovës kanë ngjallur shqetësime tek anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të cilët kanë shprehur frikën se këto probleme mund të ndikojnë në procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të planifikuara më 28 dhjetor.
Në mbledhjen e së martës, anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani, ka theksuar se procesi zgjedhor është i varur nga teknologjia, e cila nuk funksionon pa energji elektrike. “Po flasim për procesin e numërimit pas orës 19:00, funksionalitetin e kamerave në çdo vendvotim dhe kapacitetet e Qendrave të Votimit, ku shkollat duhet të jenë të pajisura me gjeneratorë, nëse i kanë të tillë”, ka thënë Elshani.
Edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Sami Hamiti, ka ngritur shqetësimin për ngarkesat e mëdha në fund të vitit dhe problemet infrastrukturore në disa rajone, të cilat mund të ndikojnë në zhvillimin normal të votimeve.
Besnik Buzhala, drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, ka sqaruar se tashmë ka pasur komunikim me KEDS-in dhe janë identifikuar mangësi në pajisjen e vendvotimeve me gjeneratorë.
Problemi me mungesën e energjisë nuk ka shqetësuar vetëm KQZ-në. Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë kanë raportuar ndërprerje të shpeshta të rrymës, duke vënë në pah se kjo po shkakton rritje të kostove operative, humbje në prodhim dhe rrezikim të funksionimit të bizneseve.