KQZ nis verifikimin e pakove me fletëvotime nga diaspora

13.11.2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se gjatë ditës së martë dhe të mërkurë janë tërhequr mbi 13,000 pako të supozuara me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës.

Këto pako lidhen me votimin me postë jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Telegrafin se të enjten në mesditë ka filluar procesi i vlerësimit dhe verifikimit të këtyre pakove. Qëllimi i këtij procesi është të përcaktohet nëse ato janë dërguar nga shtetas të Kosovës të regjistruar si votues jashtë vendit.

“Pra, procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen 13,000 pako dhe në fund do të kemi më shumë detaje. KQZ i referohet këtyre pakove si ‘pako të supozuara me fletëvotime’ sepse në këtë fazë nuk mund ta dijmë me saktësi nëse brenda tyre ka fletëvotime dhe nëse të njëjtat janë dorëzuar nga votuesit e regjistruar”, theksoi Elezi.

Ai shtoi se gjatë periudhës së regjistrimit, që zgjati nga 23 korriku deri më 29 gusht 2025, numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë ishte 29,725 votues.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë u mbajt në 18 komuna të Kosovës, ku qytetarët kanë pasur mundësinë të zgjedhin kandidatët përfundimtarë për këtë funksion.