Mbi 50% e votave të numëruara, tre deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Suharekë drejt mandatit të ri
Teksa procesi i verifikimit dhe numërimit të votave vazhdon në nivel vendi, deri më tani janë përfunduar 52,64% e votave, duke dhënë një pasqyrë më të qartë për ndarjen e mandateve.
Nga dega e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Suharekë, sipas gjendjes aktuale të rezultateve, janë siguruar dy mandate për deputetë. Kandidatët që kanë arritur të sigurojnë votat e nevojshme janë Salih Zyba dhe Hysen Durmishi si dhe nga koalicioni me Guxo Albena Reshitaj.
Ky rezultat lidhet drejtpërdrejt edhe me plotësimin e kuotës gjinore prej 30%, pasi kandidatët femra të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë arritur të fitojnë mbështetje të konsiderueshme përmes votës direkte të qytetarëve. Sipas të dhënave të deritanishme, 35% e 55 deputetëve më të votuar janë gra, duke dëshmuar një përfaqësim të fuqishëm të grave në Kuvendin e ardhshëm.
Procesi i numërimit dhe verifikimit të votave pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa rezultatet përfundimtare do të konfirmojnë zyrtarisht ndarjen e mandateve parlamentare.