Balotazhi në Suharekë – këto janë dy qendrat e votimit me numrin më të lartë të votuesve

09.11.2025

Sot në Komunën e Suharekës po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ku garojnë për kryetar të komunës Bali Muharremaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Ardian Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 15:00 në Suharekë kanë votuar gjithsej 13,640 qytetarë, nga 69,805 sa kanë të drejtë vote në këtë komunë.

Ky numër i votuesve është më i vogël për 3,792 krahasuar me të njëjtën periudhë kohore gjatë raundit të parë të zgjedhjeve lokale.

Në disa qendra të votimit në qytet është regjistruar një numër më i lartë i pjesëmarrjes.
Në qendrën e votimit të vendosur në IAAP “Skënder Luarasi” në Suharekë, e cila ka gjithsej 8 vendvotime, deri në orën 15:00 kanë votuar 1,730 qytetarë, që në përqindje i bie 23.76% e votuesve të regjistruar atje.

Po ashtu, pjesëmarrje e konsiderueshme është regjistruar edhe në SHFMU “7 Marsi” në Suharekë, ku deri në orën 15:00 kanë votuar 786 qytetarë, apo 26.38% e votuesve me të drejtë vote në këtë qendër.

Procesi i votimit në gjithë komunën po zhvillohet i qetë dhe pa ndonjë raportim për parregullsi. Qendrat e votimit do të mbeten të hapura deri në orën 19:00, kur edhe përfundon zyrtarisht procesi i votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Suharekë.