AAK garon e vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit

01.12.2025

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po hyn në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit me një fokus të ri politik dhe me synimin e deklaruar për të sjellë ndryshim në vend. Nënkryetari i AAK-së, Daut Haradinaj, tha se partia po përgatit një program real dhe një listë të gjerë kandidatësh, ku do të përfshihen figura nga fusha të ndryshme të shoqërisë.

Haradinaj u shpreh se AAK po harton një listë garuese që përfshin personalitete nga sporti, kultura, letërsia, shkenca, figura të luftës dhe përfaqësues të diasporës, duke theksuar se synimi është krijimi i një përfaqësimi sa më gjithëpërfshirës. Ai tha se Aleanca dëshiron të zhvillojë një fushatë programore e të fokusohet te oferta, jo akuzat.

Sipas tij, objektivi kryesor i AAK-së është “ta kthejë Kosovën në binarët e vet”, të përmirësojë marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë, të ndikojë në heqjen e sanksioneve kundër Kosovës dhe të rikthejë stabilitetin institucional që, sipas Haradinajt, është dëmtuar ndjeshëm. Ai u shpreh kritik ndaj qeverisjes aktuale, duke thënë se dëmet janë “marramendëse”.

Aleanca pret rezultate më të mira në këto zgjedhje. Haradinaj tha se synimi është që partia të arrijë përqindje dyshifrore, të mbetet një subjekt i konsoliduar parlamentar dhe të jetë pjesë e formimit të institucioneve pas zgjedhjeve. “Nuk mendoj që do të ketë krijim të institucioneve të Kosovës pa Aleancën,” deklaroi ai.

Haradinaj konfirmoi se gjatë ditëve të fundit AAK ka zhvilluar takime me pothuajse të gjitha partitë politike, me përjashtim të Vetëvendosjes, por se momentumi i deritanishëm ka çuar drejt qëndrimit për garim të vetë partisë, pa marrëveshje parazgjedhore. Ai shtoi se AAK do të garojë me logon e vet, me një listë prej 110 kandidatëve nga të gjitha kategoritë shoqërore.

Duke u rikthyer te zgjedhjet e fundit të 9 shkurtit, Haradinaj theksoi se koalicioni me Nismën Socialdemokrate nuk ishte i suksesshëm dhe sipas tij shkaktoi edhe dëm për Aleancën. Ai sqaroi se nuk ka asgjë personale me Fatmir Limajn apo subjektet e tjera, por bashkëpunimi i atëhershëm “nuk funksionoi”. Megjithatë, theksoi se Aleanca mbetet e hapur për subjekte të vogla, iniciativa qytetare dhe shoqëri civile, përderisa akronimi dhe identiteti i partisë mbeten të pandryshueshme.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit janë shpallur nga presidentja Vjosa Osmani më 20 nëntor, pas shpërndarjes së legjislaturës së nëntë të Kuvendit, pasi për tetë muaj rresht nuk u arrit të funksionalizohej puna parlamentare dhe dështuan dy përpjekje për formimin e qeverisë. Fushata zgjedhore nis zyrtarisht më 17 dhjetor, ndërsa aplikimi për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës është hapur më 26 nëntor dhe përfundon më 6 dhjetor.

AAK pritet të prezantojë në ditët në vijim platformën e plotë zgjedhore dhe listën finale të kandidatëve me të cilët synon të rikthehet si forcë qendrore në skenën politike të vendit.