Haradinaj akuzon Kurtin: Ia hapi tregun Serbisë dhe po e bën Kosovën të varur energjetikisht

14.06.2026

Kryetari i nderit i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e fajësuar për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, anulimin e projekteve energjetike dhe refuzimin e projektit amerikan të gazit.

Haradinaj akuzon Kurtin: Ia hapi tregun Serbisë dhe po e bën Kosovën të varur energjetikisht Foto: Ilustrim

Përmes një reagimi publik, Haradinaj rikujtoi se më 21 nëntor 2018, gjatë mandatit të tij si kryeministër, ishte vendosur taksa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë, ndërsa sipas tij, më 1 prill 2020 Qeveria Kurti e hoqi këtë masë dhe rihapi tregun për produktet serbe.

Ai theksoi gjithashtu se në dhjetor të vitit 2017 kishte nënshkruar projektin me kompaninë ContourGlobal, me synimin që Kosova të siguronte pavarësi energjetike, por pretendon se ky projekt u anulua nga Qeveria Kurti në vitin 2020.

Haradinaj kritikoi edhe refuzimin e projektit amerikan të gazit gjatë viteve 2021–2022, duke vlerësuar se këto vendime kanë ndikuar në rritjen e varësisë energjetike të Kosovës nga importi.

Sipas tij, raportimet e fundit për hyrjen e mallrave nga Serbia në Kosovë dhe shpenzimet prej rreth 259 milionë eurosh për import të energjisë elektrike gjatë vitit të kaluar dëshmojnë pasojat e këtyre politikave.

“Nëse tash po kundërshtohet edhe projekti i gazit amerikan, atëherë shtrohet pyetja nëse kundërshtimi është ndaj gazit apo ndaj Amerikës”, deklaroi Haradinaj, duke ngritur shqetësime për drejtimin e politikave energjetike dhe ekonomike të vendit.

Në fund, ai ka pyetur se çfarë synon Qeveria me këto politika, duke akuzuar Kurtin se po i garanton Serbisë përfitime në tregun tregtar dhe energjetik të Kosovës.