Kurti nis konsultimet për presidentin, fton në takim liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ftuar në takim krerët e partive opozitare për të diskutuar lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Foto: Ilustrim
Ftesën e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, i cili ka bërë të ditur se Kurti u ka dërguar letër për takim kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
Ky hap vjen pas përfundimit të procesit të numërimit dhe certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit kushtetues, me qëllim krijimin e institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve.
Takimet mes liderëve politikë pritet të përcaktojnë hapat e mëtejshëm për procesin e zgjedhjes së presidentit dhe funksionalizimin e institucioneve të reja.
