Sekuestrohen armë dhe municion në Prizren, dy persona në kërkim

18.09.2025

Policia e Kosovës ka njoftuar për sekuestrimin e disa armëve dhe një sasie të konsiderueshme municioni gjatë një aksioni të zhvilluar në Prizren, në lidhje me një rast të shtënave me armë zjarri.

Sipas informacioneve zyrtare, më 09 shtator 2025, rreth orës 03:05, Stacioni Policor në Prizren është informuar për një rast të shtënave me armë zjarri që dyshohet se kishte ndodhur rreth orës 02:45 në rrugën “Mbreti Pleurat”. Menjëherë pas marrjes së informatës, njësitet hetuese kanë ndërmarrë veprime operative në terren, duke siguruar prova që çuan në identifikimin e dy personave të dyshuar.

Më 17 shtator 2025, rreth orës 14:45, policia ka ndërmarrë veprime për lokalizimin e të dyshuarve në rrugën “Enver Hadri” në Prizren, ku është gjetur dhe sekuestruar një veturë e dyshuar që dyshohet se lidhet me rastin. I dyshuari nuk është hasur në shtëpi. Me urdhër verbal të prokurorit të rastit, dhe në praninë e babait të të dyshuarit si dhe avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, policia ka kryer kontroll në dy lokacione në Prizren.

Gjatë këtij kontrolli janë sekuestruar:

  • Një (1) pushkë automatike AK-47
  • Një (1) pushkë gjysmë automatike me dylbi
  • Një (1) pushkë gjuetie
  • 161 fishekë të kalibrave të ndryshëm

Të gjitha dëshmitë janë fotografuar dhe evidentuar nga njësia e krim-teknikës.

Dy personat e dyshuar aktualisht janë në kërkim dhe akuzohen për veprat penale:

  • “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”
  • “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”
  • “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë publike dhe në parandalimin e rasteve të dhunës me armë zjarri.