Pesë shtetas turq arrestohen në Prizren, dyshohet se sulmuan dhe mbajtën peng një person për 12 orë

3 orë

Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar në Prizren, nën dyshimin për përfshirje në një rast të sulmit fizik, shtrëngimit dhe privimit të kundërligjshëm të lirisë.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti kishte ndodhur më 3 nëntor, në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, ku pesë persona kishin sulmuar fizikisht një shtetas të Turqisë dhe më pas, me forcë, e kishin futur në një automjet të tipit “pick-up”.

Viktima, gjatë intervistimit nga hetuesit, ka deklaruar se pas sulmit, gjatë të cilit kishte pësuar lëndime të shumta trupore, përfshirë edhe lëndime nga një mjet i mprehtë (thikë), ishte dërguar kundër vullnetit të tij në një objekt në Prishtinë, ku ishte mbajtur për rreth 12 orë.

Sipas deklarimeve të viktimës, të dyshuarit e kishin detyruar të hiqte dorë nga punimet ndërtimore që po i kryente në një objekt banesor në Prizren.

Pas hetimeve intensive, më 9 dhe 10 nëntor, hetuesit kanë arritur të identifikojnë, lokalizojnë dhe arrestojnë pesë të dyshuarit, të gjithë shtetas të Republikës së Turqisë.

Policia ka bërë të ditur se është gjetur dhe sekuestruar përkohësisht edhe automjeti i përdorur në rast, ndërsa me vendim të prokurorit, pesë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Rasti është duke u hetuar për veprat penale “Shtrëngim”, “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.