Nuk iu mbijetoi plagëve, vdes në QKUK personi i therur me thikë në Zhur të Prizrenit

11.08.2025

Një person ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pasi është therur me thikë mbrëmjen e së dielës në fshatin Zhur të Prizrenit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur më 10 gusht 2025, rreth orës 21:20, kur Policia ka pranuar informacionin se një person me lëndime ishte dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit.

Sipas mjekëve, viktima, mashkull, ishte therur me thikë dhe ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është dërguar për trajtim në QKUK – Prishtinë, ku më pas ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.

Patrullat policore janë nisur menjëherë në drejtim të fshatit Zhur për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Nga informacionet e mbledhura, i dyshuari është identifikuar, por ndodhet në arrati. Njësitë policore janë ende në terren dhe po ndërmarrin veprimet e nevojshme për kapjen e tij.

Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe po vazhdojnë procedurat ligjore.