22 të arrestuar në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm në Prizren, Suharekë dhe Dragash

23 min

Një operacion i gjerë i Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, është zhvilluar mbrëmjen e 4 nëntorit në Rajonin e Prizrenit, kundër organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit online.

Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë, gjatë këtij operacioni, të koduar me emrin “Bixhozi”, janë kontrolluar gjithsej 20 lokacione, përfshirë lokale afariste dhe shtëpi banimi në komunat e Prizrenit, Suharekës dhe Dragashit.

Si rezultat i operacionit, janë arrestuar 22 persona të dyshuar për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 10 mijë euro para të gatshme, pajisje të ndryshme elektronike, si dhe katër armë zjarri me municion, të cilat mund të shërbejnë si prova në procedurën hetimore.

Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të Prokurorisë, 19 të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa tre të tjerë janë liruar dhe do të ndiqen në procedurë të rregullt.

Operacioni është realizuar pas një periudhe të gjatë hetimesh dhe veprimesh operative-hetimore, nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe me angazhimin e njësive të ndryshme të Policisë së Kosovës.