Gjendet trupi i pajetë i 26-vjeçarit të zhdukur në Prizren
Pas një kërkimi intensiv që zgjati disa ditë, trupi i pajetë i 26-vjeçarit Arban Hisari është gjetur në lumin Drin, në afërsi të fshatit Rogovë e Hasit.
Lajmin e konfirmuan për TV Prizreni burime brenda Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.
Hisari ishte raportuar si i zhdukur më 24 dhjetor të vitit të kaluar, dhe që nga ajo datë nuk kishte asnjë gjurmë e tij. Policia e Kosovës, pas njoftimit të familjarëve, kishte bërë thirrje për ndihmë tek qytetarët, duke kërkuar çdo informacion që mund të çonte në gjetjen e të riut.
Operacioni i gjerë i kërkimit, në të cilin morën pjesë njësitë e Policisë së Kosovës dhe forca të tjera, u fokusua kryesisrë në zonën e lumit Drin, ku më në fund trupi i pajetë i 26-vjeçarit u gjet mëngjesin e së martës.
Shkaqet e vdekjes së të riut ende nuk janë bërë zyrtare, por policia ka nisur hetimet për të zbuluar rrethanat e këtij ngjarjeje tragjike.